Prej vitesh flitet se si mjekët largohen nga Kosova, por askush nuk e thotë se si të ndalen ata.
Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) thonë vetëm se “ata ikin me vullnetin e tyre” – nuk tregojnë nëse kanë ndonjë plan a strategji për t’i joshur që të qëndrojnë.
Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, në Odën e Mjekëve të Kosovës tregojnë se, gjatë vitit 2024, 109 mjekë e kanë tërhequr certifikatën për të kaluarën etike, e cila u shërben për punësim jashtë vendit. Më 2023, kjo shifër ishte 167, ndërsa në periudhën 2018-2022, mbi 650.
“Largimi i kuadrove të reja shëndetësore e dëmton seriozisht sektorin e shëndetësisë në vend”, thonë në Odën e Mjekëve për Radion Evropa e Lirë.
Dhe, kjo është e dukshme. Pacientët presin me muaj, nëse jo vite, për disa shërbime, ndërsa shumë aparatura të reja as që shfrytëzohen, sepse nuk ka profesionistë.
Pse largohen mjekët?
Dr. Shpendi – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë – është në mesin e 18 mjekëve, që e braktisën Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në vitin 2024.
I specializuar për gastroenterologji, ai thotë se nuk ka mundur t’i bëjë ballë “burokracisë” dhe “monopolit të hekurt” në klinikë. Sipas tij, në QKUK ka kontroll të plotë mbi një pjesë të stafit, që “nuk i mirëpret gjeneratat e reja”, shkaku i konkurrencës.
“Shefi i klinikës, bashkë me ata të reparteve, nuk na kanë lejuar të punojmë. I kam kryer të gjitha obligimet, të gjitha ato trajnime brenda dhe jashtë vendit dhe nuk më kanë lejuar ta tregoj atë dijeni”, thotë dr. Shpendi.
Ai shton se përderisa ekziston ky “mentalitet i vjetër” i udhëheqjes së klinikave, stafi nuk do të rrijë aty. Doktor Arbër Muriqi është larguar nga Kosova dy vjet më parë, por për një arsye tjetër: paga.
Në Kosovë, paga e mjekut specialist aktualisht është rreth 1.200 euro. Paga mesatare në vend sillet në rreth 570 euro. Muriqi thotë se punon në një spital në Tyringen të Gjermanisë, ku paga fillestare ka nisur me 5.000 euro.
“Kam ardhur këtu… punoj, marr një pagë të dinjitetshme, bëjmë një jetë të mirë dhe i ndihmojmë familjet”, thotë anesteziologu Muriqi për Radion Evropa e Lirë i cili po specializon për neurologji.
Në spitalin gjerman ku punon, thotë se ka edhe infermierë e mjekë të tjerë nga Kosova. Si mund të parandalohet ikja e mjekëve?
SHSKUK-ja, e cila mbikëqyr QKUK-në dhe shtatë spitalet rajonale të Kosovës, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ka ose planifikon ndonjë strategji për të penguar ikjen e mjekëve. Ngjashëm as QKUK-ja.tch