Kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike i përmbajtjeve mediatike nga studentët ishte diskutimi në të cilin u përfshinë studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në kuadër të një Forumi, objektivi kryesor i cili po realizohet nga organizata studentore “ABC Tirana Club”. Nëpërmjet këtij diskutimi po synohet nxitja e debateve të lira të studentëve mbi median dhe informimin si instrumente jetësore dhe të pazevendësueshme në një shoqëri demokratike.
Pikërisht qasja drejt tyre vlerësohet me ndikim të madh në sjelljen, perceptimet apo pjesmarrjen në vendimarrje të studentëve. Gjatë forumit u theksua se sugjestionimi nga përmbajtjet fake neës apo nga informatat e deformuara apo kur merret shabllon gjithçka që pasqyron e trajton media, kjo shoqërohet dhe me efekte negative te studentët.
Studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të pranishëm në këtë Forum, evidentuan faktin se në fushën e edukimit për median dhe informacionin ka mangësi dhe sepse në stadet e mëparshme të shkollimit nuk është folur, nuk është diskutuar, apo nuk ka pasur hapësira sa duhet në kurrikulat mesimore.
Pjesemarrësit në forum diskutuan dhe mbi treguesit e një sondazhi që është realizuar kohët e fundit dhe me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan mbi mendimet dhe perceptimet e tyre mbi rolin dhe ndikimin e medias, si dhe tiparet e sjelljes së saj në raport me publikun, me protagonistët e politikës, biznesit, grupet e ndryshme të interesit, shoqërinë civile etj. “Kuptimi dhe vlerësimi në mënyrë kritike i përmbajtjeve mediatike nga studentët” është një projekt studentor që mbështet me fonde të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit rajonal “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median”.