ATSH/ ​Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi një vizitë në stabilimentin e prodhimit të vezëve të kompanisë AIBA në Xhafzotaj, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Armend Muja.

Stabilimenti përbëhet nga pesë kapanone dhe ka një kapacitet prej rreth 350 000 krerësh, duke u renditur ndër njësitë më moderne të prodhimit të vezëve në Shqipëri.

Gjatë vizitës, ministri Muja u njoh nga afër me standardet europiane të prodhimit, teknologjinë e aplikuar, sistemin e gjurmueshmërisë dhe masat e sigurisë ushqimore që zbaton kompania, të cilat garantojnë kontroll të plotë në të gjithë zinxhirin e prodhimit.

Salla tha se “AIBA është aktualisht stabilimenti i vetëm në vend që eksporton vezë të lëngshme drejt Bashkimit Evropian, duke përmbushur standardet strikte të tregut europian dhe kërkesat ndërkombëtare të sigurisë ushqimore”.

Ky investim vlerësohet si një shembull i modernizimit të sektorit agro-ushqimor dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese në vend, duke dëshmuar se përmbushja e standardeve të BE-së rrit konkurrueshmërinë dhe potencialin eksportues të produkteve “Made in Albania”.

Gjatë vizitës u theksua rëndësia e vijimit të mbështetjes për investimet në bujqësi dhe agropërpunim, si një sektor me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e eksporteve.

/e.i/a.f/