Studiuesit vlerësojnë se mund të ketë deri në 20 milionë specie insektesh në mbarë botën, krahasuar me rreth 1 milion specie të përshkruara zyrtarisht dhe me vlerësimin shkencor afatgjatë prej afërsisht 6 milionë specieve.

Studimi, i publikuar në “Proceedings of the National Academy of Sciences”, ka përdorur modelim statistikor të bazuar në vëzhgimet e insekteve në Parkun Kombëtar Guanacaste në Kosta Rikë. Shkencëtarët u përqendruan pjesërisht te grerëzat parazitoide, një grup shumë i larmishëm i njohur për vendosjen e vezëve brenda insekteve të tjera.

Duke krahasuar metoda të ndryshme vëzhgimi, përfshirë të dhënat nga kurthet dhe analizën e vemjeve të parazituara, studiuesit kanë zbuluar një mbivendosje të kufizuar të specieve të identifikuara, gjë që sugjeron se edhe vëzhgimet intensive arrijnë të kapin vetëm një pjesë të diversitetit lokal.

Duke përdorur teknika statistikore të zhvilluara fillimisht në epidemiologji për të vlerësuar popullata të fshehura, ekipi ka llogaritur se vetëm parku mund të përmbajë më shumë se 300 mijë specie insektesh, shumë më tepër sesa ishte regjistruar më parë.

Më pas, ata e kanë zgjeruar vlerësimin në nivel global duke përdorur krahasime të biodiversitetit me speciet e pemëve, duke arritur në përfundimin se Toka mund të strehojë nga 13 milionë deri në gati 25 milionë specie insektesh, me një vlerësim mesatar prej rreth 20 milionësh.

Brian Fisher, kurator i entomologjisë në Akademinë e Shkencave të Kalifornisë, ka thënë se ky vlerësim tregon se shifrat aktuale ka të ngjarë ta nënvlerësojnë shumëllojshmërinë e insekteve, duke shtuar se numri i saktë mbetet i pasigurt.

Studiuesit kanë thëné se ky vlerësim tregon shkallën e biodiversitetit ende të pazbuluar dhe nënvizon sfidat e ruajtjes së natyrës, veçanërisht pasi besohet se shumë specie insektesh po pësojnë rënie për shkak të humbjes së habitateve, ndryshimeve klimatike dhe presioneve të tjera mjedisore.

Ekspertët thonë se gjetjet sugjerojnë se pjesë të mëdha të jetës së insekteve në Tokë mbeten ende të panjohura dhe mund të mos regjistrohen kurrë përpara se të zhduken.  /os/