Pasi votoi në Tiranë që në momentet e para të hapjes së qendrave të votimit, presidenti Ilir Meta ka shkuar në Elbasan, aty ku u shënua dhe ngjarja më e rëndë gjatë fushatës zgjedhore. Nga Elbasani, kreu i shtetit iu bëri thirrje banorëve të këtij qyteti që të votojnë të lirë dhe të mos kenë merak pasi vota e tyre do të shkojë atje ku do e hedhin.

“Opozita shumë e kujdesshme, shumë e përgjegjshme dhe do të bëjë më të mirën për mbarëvajtjen e procesit. Ftoj qytetarët e Elbasanit që në paqe të shkojnë drejt kutive të votimit dhe të vendosin të lirë larg çdo lloj presioni dhe oferte për të tjetërsuar vullnetin. Të votojnë për veten e tyre dhe të fëmijëve. Panariti do të jetë këtu për të vëzhguar situatën. Besoj se BE dhe ODIHR do të përforcojnë vëzhgimin. Të gjithë të jenë të qetë se vota e tyre do të jetë aty ku do e hedhin. Sot, duhet të flasë populli i Elbasanit”, tha Ilir Meta.