Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni u shpreh se, “ndryshimet në Kodit Zgjedhor u votuan edhe me votat e opozitës parlamentare, por dhe me kontributin e opozitës jashtëparlamentare, të cilët nëpërmjet lidhjeve të tyre të kontaktit u bashkuan me një pjesë të opozitës parlamentare, për t’u bërë pjesë e ndryshimeve të Kodit”.

Në një intervistë televizive, mbrëmjen e së hënës, Hyseni tha se, “votimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me votat e opozitës është realitet dhe fakt, pavarësisht se ndokujt i vjen ëmbël apo hidhur”.

“Opozita ndihmoi në këtë proces që është shumë i rëndësishëm për pjesën dërrmuese të shqiptarëve”, tha ai.

“Na vjen shumë keq që nuk arritëm të realizonim një konsensus edhe më të gjerë. Ne do të dëshironim t’i kalonim ndryshimet me votën e 122 deputetëve dhe të kishim edhe një dakordësi nga të gjithë aktorët, nga fragmente të caktuara të opozitës. Ashtu sikurse jemi  si Ambasada e SHBA-së të pakënaqur me faktin që pavarësisht përpjekjeve tona të vazhdueshme nuk u arrit të bëhej e mundur që nga ajo tavolinë, tryezë dialogu që ishte Këshilli Politik, të ishte votuar edhe konsensusi i nevojshëm për kalimin e këtyre ndryshimeve”, tha Hyseni.

“Ne jemi të keqardhur ndoshta edhe më shumë se Ambasada, që pavarësisht punës tonë prej gati 3 vjet e gjysmë për të pasur ndryshime rrënjësore në legjislacionin elektoral shqiptar, për t’ju dhënë shqiptarëve një administratë zgjedhore totalisht të depolitizuar, për t’ju dhënë shqiptarëve më në fund pas 30 viteve, mekanizmat për të kontrolluar vetë ata të drejtën e votës, që është arma më e fuqishme që ata kanë një herë në 4 vjet për të vendosur fatet e qeverisjes së vendit, nuk ia dolëm dot, se nuk na lanë. Ne nuk mund t’i bëjmë vetë edhe disa reforma”, deklaroi Hyseni.

Duke iu referuar deklaratës së ambasadës së SHBA-së, Hyseni tha se “deklarata e Ambasadës së SHBA është shumë korrekte, pasi nuk kemi të bëjmë me shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, së dytë kjo është një e drejtë e parlamentit që ka të gjithë të drejtën Kushtetuese dhe ligjore për të ndërmarrë reforma në të mirë të vendit dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë një çështje kushtetuese”.