/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (PKIE 2022 – 2024).

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se, “ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme përsa i përket planifikimit dhe monitorimit të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, por edhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Xhaçka theksoi se, “plani ka një objektiv të dyfishtë. Së pari, ai shërben si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian, në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo marrëveshje”.

Së dyti, shtoi Xhaçka, “ky plan, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Ky është një vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë sa i takon rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian, kur presim që Bashkimi Evropian ta zgjidhë ngërçin që ka mbajtur peng Shqipërinë duke mos marrë hapjen e negociatave të premtuara gjatë vitit 2021.

Patjetër, shtoi Xhaçka, “që ne po bëjmë dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që kemi marrë përsipër. Pikë së pari për evropianizimin e vendit, por edhe për të avancuar në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

E pyetur në lidhje me një projekt/rezolutë që do hartojë Shqipëria sa i përket konfliktit ruso-ukrainas, duke pasur parasysh se ne jemi një vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

“Nuk jemi ende në atë fazë. Nuk ka ende projekt/rezoluta të draftuara që pastaj të marrin miratimin apo përkrahjen e vendeve të tjera, qofshin në Këshillin e Sigurimit, qofshin më gjerë, ato në OKB. Por jemi në fazën ku kemi dakordësuar një bashkëpunim shumë të ngushtë me SHBA-të ku do të jemi të dyja palët bashkë hartues, duke thelluar një marrëdhënie strategjike. Por në këtë rast edhe duke i dhënë Shqipërisë gjithë prestigjin dhe vizibilitetin për atë që është. Një vend shumë konstruktiv, një partner i besueshëm, i cili do të luajë një rol shumë aktiv edhe në Këshillin e Sigurimit përgjatë 2 viteve të mandatit të saj”, tha ministrja Xhaçka.