ATSH/ Bashkia e Përmetit dhe operatorët turistikë të qytetit zhvilluan ditët e fundit aksionin e radhës për pastrimin e zonave turistike.

Nisma e bashkisë për pastrimin e çdo zone turistike dhe jo vetëm, vijoi në zonën e Petranit dhe kryesisht bregut të lumit Vjosë pranë kësaj zone.

“Vjosa është burim i pashtershëm i jetës, energjisë, turizmit dhe i ekonomisë duhet të ruhet dhe mirëmbahet. Për të mirëpritur turistët dhe për të promovuar bukuritë natyrore, na nevojitet një territor i pastër. Kontributi juaj është mirëmbajtja. Ku ka vullnet, ka edhe zgjidhje”, – tha bashkia e Përmetit.

Përmeti është një destinacion tepër i rëndësishëm i ekoturizmit, turizmit të aventurës me biçikletë, hiking dhe atë lumor. Për këtë arsye bashkia e Përmetit është angazhuar në këtë aksion pastrimi të territorit, në mënyrë që turistët vendas e të huaj të gjejnë mjedise të pastra./k.s//a.a/