PARIS, 26 qershor /ATSH-AFP/ – Vdekjet te fëmijët si pasojë e COVID-19 janë jashtëzakonisht të rralla dhe ndodhin në më pak se 1% të rasteve, pasi sëmundja mbetet kryesisht e lehtë tek ata, konfirmon një studim europian.

Tetëdhjetë e dy institucione shëndetësore morën pjesë në këtë studim të parë europian për fëmijë dhe adoleshentë, të moshës tre ditë deri më pak se 18 vjeç, botuar në revistën e specializuar ”The Lancet Child & Adolescent Health”.

Drejtuar nga ekspertë të Britanisë së Madhe, Austrisë dhe Spanjës, studimi tregon se në rreth 600 fëmijë nën 18 vjeç, të kontaminuar me koronavirusin e ri, vetëm një e katërta kishin probleme mjekësore paraekzistuese.

”Kjo është e ulët në krahasim me përqindjen e të rriturve që shfaqin patologji, përgjithësisht shumë më të larta në studime”, shprehen autorët e këtij studimi.

Nga 582 pacientë të studiuar, pozitiv në testin virologjik (RT-PCR), vetëm katër kanë humbur jetën, të gjithë në moshën mbi 10 vjeç, dy prej të cilëve vuanin nga problemet mjekësore paraekzistuese.

Një pjesë e vogël, por e dukshme, zhvilloi një sëmundje serioze që kërkon trajtim në kujdesin intensiv (8% ose 48 raste nga 582).

Studimi nuk përfshin rastet e lehta, të cilat nuk kishin nevojë për ndihmë ose mjek.

Ndërkohë që më shumë se 90 fëmijë ose 16%, nuk kishin simptoma.

”Shkalla e vërtetë e fatalitetit të rasteve tek fëmijët ka të ngjarë të jetë dukshëm më e ulët se ajo e vërejtur në studim”, sipas studimit.

“Fëmijët tek të cilët u zbuluan viruse shtesë në traktin respirator së bashku me SARS-CoV-2 kishin më shumë gjasa të pranohen në kujdes intensiv. Kjo mund të ketë pasoja të rëndësishme për sezonin e ardhshëm të dimrit, kur infeksionet nga rrufa dhe gripi do të jenë më të zakonshme “, vëren një nga autorët kryesorë, Begona Santiago Garcia, nga Spitali Universitar “Gregorio Marañón” në Madrid.

ATSH