ATSH-MIA-AA/ – Maqedonia e Veriut në 24 orët e fundit ka regjistruar 125 raste të reja me COVID-19, ndërkohë që numri i përgjithshëm i të infektuarve me këtë virus në vend është 2 915.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit janë shëruar tetë pacientë të tjerë dhe dy kanë vdekur. Numri i përgjithshëm i të shëruarve është rritur në 1 640, i të vdekurve në 151, ndërsa numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend është 1 124.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se për rastet e reja 90% e të sapoinfektuarve janë nga 15 familje.

”Padyshim se kemi valë të re e cila vjen si rezultat i mosprespektimit të masave për tubime dhe grupime që e dëshmoi edhe ekspertiza e detajuar në pyetësorët e detajuar epidemiologjike. Numri i rritur i të prekurve nga virusi mund të thuhet se është i pritshëm për shkak të mënyrës së testimit që zbatuam gjatë ditëve të kaluara”, theksoi Filipçe.

”Virusi është këtu, po përhapet, ndërsa mosrespektimi i masave do të thotë
vazhdim i krizës”, porositi Filipçe.

Lidhur me kufizimet triditore për Shkupin duke pasur parasysh se shumica e qytetarëve e kanë lënë qytetin dhe kanë shkuar në rajone ku është vendosur një masë tjetër kufizimi më e lehtë, Filipçe theksoi se kudo që të jenë qytetarët masat duhet të respektohen.

”Megjithatë, nga e hëna me siguri nuk do të ketë kurrfarë masa rigoroze, do të
jetë njësoj si ditët e tjera, por do të kemi kontroll të plotë. Të gjitha rastet pozitive do të vendosen në izolim”, theksoi Filipçe./ a.jor.