TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Në programin për bujqësinë në 4 vitet e ardhshme, qeveria do të vazhdojë zbatimin e skemës mbështetëse për fermerin “Naftë falas për bujqësinë”, si një ndër nismat më ambicioze në funksion të përmbushjes së nevojave për këtë sektor.

Nga 1 janari i këtij viti, qeveria hoqi akcizën, taksën e qarkullimit dhe atë të karbonit për prodhimet bujqësore, duke realizuar përgjysmimin e çmimit të karburantit për fermerët.

Fermerët e pajisur me NIPT përfituan naftë me 54 % më lirë se sa e ofron tregu, për aktivitetin bujqësor që zhvillojnë.

Në funksion të kësaj skeme, buxheti i shtetit shtoi 1 miliard lekë në ndihmë të fermerëve për heqjen e taksave të naftës për bujqësinë.

Fermerët përfituan gjatë viti 2021 naftë pa taksën e akzicës (37 lekë), pa taksën e qarkullimi (27 lekë) dhe taksën e ndikimit në mjedis (3 lekë).

Lehtësimi nga barra fiskale i naftës që përdoret për bujqësinë është një lajm i mirë për të gjithë fermerët në të gjithë vendin, nga të cilët 47600 që kanë aktualisht NIPT-in e fermerit janë automatikisht përfitues potencialë të skemës, ndërsa pjesa tjetër vijon formalizimin për të përfituar nga kjo skemë.

Vijimi i kësaj politike të re mbështetëse dëshmon kthimin e bujqësisë në prioritet të qeverisë, i cili ka një peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit dhe është rritur vit pas viti falë politikave subvencionuese. /a.a/