ATSH/ Në shkollën “Naim Frashëri” në Elbasan, një prej institucioneve me më shumë se një shekull histori në arsimin shqiptar, vijojnë me ritme të larta punimet për rikonstruksionin e plotë të godinës dhe ndërtimin e ambienteve të reja.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, së bashku me kryetarin e bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe drejtoreshën e Zyrës Vendore Arsimore Elbasan, Vesa Llanaj Lico, inspektuan punimet që po kryhen, me synimin për të krijuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “po punojmë për historinë moderne të kësaj shkolle me hapësira dhe klasa të reja që i japin fund mësimit me dy turne”.
Projekti përfshin rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një shtese të re, e cila do t’i shtojë shkollës 10 klasa të reja. Këto hapësira do të mundësojnë zhvillimin e procesit mësimor pa turne për më shumë se 700 nxënës, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e mësimit dhe organizimin e jetës shkollore.
Shkolla do të pajiset me laboratorë modernë, palestër dhe terrene sportive, hapësira rekreative, si dhe ambiente të dedikuara për arsimin parashkollor.
Gjithashtu projekti parashikon gjithashtu krijimin e një muzeu, instalimin e sistemeve fotovoltaike për rritjen e eficiencës energjetike dhe rreth 5 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruar, duke promovuar një mjedis më të shëndetshëm dhe edukimin e qëndrueshëm mjedisor e qytetar.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sistemeve teknike, përfshirë ngrohjen dhe kaldajën, me qëllim garantimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin e procesit mësimor gjatë gjithë vitit shkollor.
Shkolla “Naim Frashëri”, e cila u shërben rreth 730 nxënësve dhe 72 mësuesve, pritet që pas përfundimit të punimeve të ofrojë një infrastrukturë tërësisht të përmirësuar, me ambiente moderne për mësimin, aktivitetet sportive dhe zhvillimin e jetës komunitare.
/k.s/a.f/



























