ATSH/ – Zv/kryeministri, Erion Braçe ka ftuar sot qytetarët që të vizitojnë Divjakën, ku ata mund të gjejnë diell, ajër, park, lagunë, pelikanë, flamingo, zogj, det dhe ushqim të freskët.

“Në Divjakë them unë! Çdo gjë që doni e gjeni atje; diell, ajër, park, lagunë, pelikanë, flamingo, zogj, det, ushqim i freskët dhe shumëfish më i lirë se në Lalëz apo Palasë!”, thotë Braçe.

Ai sugjeron edhe destinacionet që mund të vizitosh në Divjakë që nga guida me varkë nëpër strugat e Parkut të madh dhe guidë nëpër shtigjet e Parkut deri tek Pisha e Madhe.

Braçe këshillon që të vizitohet edhe Kisha e Kuqe e Shën Thanasit në Karavasta si dhe ngjitja në Kullën 360 gradë nga ku mund të shihet gjithçka, më pas edhe një drekë vërtetë e shëndetshme me ushqime tërësisht të vendit.

“Kur të ikni të ndaloni tek tregu i xhaxhi Minait e të blini qepë të thatë-të re me vetëm 22 lekë (60 është në Tiranë), patate të re në një super cilësi me vetëm 32 lekë (80 është në Tiranë). Gjithçka tjetër që ju sheh syri duke nisur nga karrota e famshme e Divjakës!”, shprehet Braçe. /a.g/