ATSH-AFP/ – Platforma online e transmetimit Netflix ka bërë të ditur se do të hapë një zyrë në Stamboll deri në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Ministri turk i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, ka mirëpritur këtë lëvizje, pasi industria e filmit dhe televizionit është bërë një mjet kryesor në promovimin dhe diplomacinë kulturore, si dhe kontributet ekonomike në vend.

“Fakti që serialet dhe filmat turq mund të shikohen në 190 vende do të ndihmojnë zhvillimin e turizmit të filmit të vendit”, theksoi Ersoy.

Bashkëthemelues dhe shef ekzekutiv i Netflix-it, Reed Hastings, tha se vendimi tregon qartë angazhimin e kompanisë ndaj Turqisë.

Hastings shtoi se kjo lëvizje do të kontribuojë në prodhimin e Netflix-it të më shumë punimeve turke, që do të shijohet në të gjithë botën.

“Turqia është shumë e vlefshme për ne me kulturën e saj të pasur dhe një traditë të rrënjosur thellë të tregimit të historive. Prandaj, ne jemi krenarë që hapim një zyrë në Stamboll, një qytet madhështor”, tha Hastings.

Vendet që shikojnë më shumë prodhimet origjinale dhe të licencuara turke të Netflix-it përfshijnë SHBA-të, Argjentinën, Australinë, Britaninë, Brazilin, Francën, Indinë, Spanjën, Italinë, Kanadanë, Kolumbinë, Meksikën, Poloninë, Arabinë Saudite dhe Kilin.

Në vitet e fundit, serialet televizive turke janë parë si pjesë e diplomacisë së “fuqisë së butë” të Turqisë, me seri që gëzojnë popullaritetin masiv në të gjithë botën, nga Pakistani deri në Amerikën e Jugut.

Serialet e njohura turke në Netflix përfshijnë “The Gift”, “Bezhat C.” dhe “Bir Başkadir” (Ethos)./ /ec/