TIRANË, 27 qershor /ATSH – I. Vata/- Zëvendëskryeministri Erion Braçe fton qytetarët të vizitojnë Belshin në fundjavë, pasi ofron bukuri të jashtëzakonshme natyrore, liqene, pyje, ajër të pastër, bujtina dhe ushqim tradicionale, e një ditë më pas Divjakën perlën e turizmit në Shqipëri.

“Sot shkoni në Belsh. Nuk e dini ç’është. Akoma më mirë. U bezdise tani se je nisur rrugës për në Palasë ku çantat e vogla nën sqetull apo varur djagonalisht kanë nisur paradën. Kthehu! Ke qenë në Palasë e ke parë e ke paguar thjesht për të qenë. Diell ka kudo. Belshi është vetëm 56 minuta larg nga Tirana, kaq pak. Është një bukuri që se ke parë kurrë, s’ke ditur, s’ke mundur, s’ke dashur. Po e ke humbur ama”, shprehet Braçe.

Nëpërmjet një video, Braçe sjellë bukuritë e Belshit, nga më të bukurat në vend.

“Nuk ndodh kund në këtë vend që të gjesh bashkë kaq shume liqene natyrore, pyje rreth e rrotull tyre, ajër të pastër e gjelbërim natyral apo edhe të kultivuar prej njerëzish punëtore në çdo centimetër. Histori e kulturë, qytetërim të lashte do gjesh gjithashtu; Sport uji e tokë, plazh në ujëra të pastra natyrale, patjetër; Bujtina të vogla mikpritëse, ushqim biologjik që prodhohet nga tokat me të kultivuara natyralisht në mes te Shqipërisë. Bej Belshin sot dhe nesër patjetër Divjakën”, shprehet ai.

Po ashtu Braçe shton se “jemi bashkë në dhe shumë afër njeri-tjetrit, plotësojmë bukuritë, katalog mirësish”.

ATSH