29-nëntori shënon një vit nga vrasja makabre e Liridona Ademajt që tronditi mbarë opinionin në Kosovë e Shqipëri por jo vetëm.
Ishte mbrëmja e datës 29, ku në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, u vra Liridona Ademaj. Fillimisht ngjarja u raportua si vrasje si pasojë e grabitjes, por hetimet morën një rrjedhë të frikshme, me skenarin e bashkëshortit të saj vrasës që nuk ishte parë as në filma.
Atë natë, 30-vjeçarja ndodhej në automjet me fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen. Ajo u qëllua me plumb në qafë, në prani të fëmijëve të saj.
Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, me urdhër të Murselit i cili i kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së.
Ata u arrestuan ditën ku u varros Liridona, ndërsa çka e rëndoi këtë ngjarje tragjike, ishte se vëtë bashkëshorti i saj mori pjesë në ceremoninë mortore duke pritur ngushëllimet për vrasjen që ai vetë kishte porositur.
Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të ndjerës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim. Ky përvjetori i parë i vrasjes shënohet pa aktakuzë për këtë ngjarje ndërsa hetimet nuk kanë përfunduar akoma.
Më 24 tetor, Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi se e ka zgjatur paraburgimin ndaj të dyshuarve edhe për dy muaj.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.
Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë nuk duhet dihet ende, ndërsa në Prokurorinë e Kosovës janë disa pista, të cilat u aluduan gjerësisht në media.
Në njoftimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit, u dhanë edhe rrethanat për dyshimet si ishte kryer vrasja.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, është dyshimi se si ka ndodhur rasti.
Hetimet për këtë rast po vëzhgohen edhe nga Suedia, pasi Liridona dhe Naimi ishin shtetas suedez.
Top Channel