ATSH/- Festimet për suksesin historik të ekipit të basketbollit të Nju Jorkut, “Knicks”, u shoqëruan me incidente të rënda në Nju Jork, ku një adoleshent u plagos me armë zjarri dhe disa autobusë u dogjën ose u shkatërruan, raportoi BBC.
“Knicks” mundën ekipin e San Antonios “Spurs” me rezultatin 94-90 në ndeshjen e pestë të finales, duke fituar trofeun e NBA-së, për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh.
Edhe pse ndeshja u zhvillua në Teksas, mijëra tifozë dolën në rrugët e Nju Jorkut, për të festuar këtë arritje historike.
Ndërsa festa vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, situata u tensionua.
Pranë sheshit “Times Square” u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe një 17-vjeçar u plagos në këmbë. Autoritetet thanë se nuk pati viktima.
Sipas Policisë së Nju Jorkut (NYPD), turmat u bënë gjithnjë e më të dhunshme dhe shkaktuan dëme të shumta.
Pesë autobusë shkollorë të verdhë, të përdorur për transportimin e tifozëve të Kupës së Botës, u dogjën ose u dëmtuan rëndë.
Disa persona u panë duke u ngjitur mbi autobusë, duke hyrë brenda tyre për të bërë fotografi dhe më pas duke i vandalizuar.
Në shënjestër të turmave ishin edhe automjetet e policisë. Disa persona i goditën ato me shkopinj dhe u thyen xhamat.
Të shtënat u raportuan rreth orës 02:00 pranë kryqëzimit të rrugës 42 me Broadway, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve.
I plagosuri u dërgua në spital me një automjet policie, pasi ambulancat nuk mund të kalonin për shkak të turmës së madhe.
Policia arrestoi tre persona të dyshuar dhe sekuestroi një armë zjarri.
Gjatë natës u raportuan gjithashtu katër raste plagosjesh me mjete prerëse, dëmtime të automjeteve private, përdorim fishekzjarrësh në mes të turmave dhe përleshjeve të shumta.
Në total, 63 persona u arrestuan për sulm ndaj efektivëve të policisë, armëmbajtje pa leje, dëmtim prone, prishje të rendit publik, kundërshtim të arrestimit dhe pengim të punës së autoriteteve.
NYPD bëri të ditur se 10 policë mbetën të plagosur gjatë incidenteve.
Njëri prej tyre u godit me grusht në fytyrë, ndërsa një tjetër u qëllua me një shishe qelqi.
Më herët, atmosfera në qytet kishte qenë festive.
Punonjësit e shërbimeve të emergjencës brohorisnin për “Knicks”, ndërsa qytetarët përqafonin njëri-tjetrin, shtrëngonin duart dhe festonin në rrugë.
Festimet zyrtare për triumfin e “Knicks” do të zhvillohen të enjten, me një paradë në qytet dhe një ceremoni në bashki. //a.i/



























