ATSH/- Operacioni Humanitar po vijon çdo ditë me shpërndarjen e ndihmave me ushqime për familjet në nevojë në Bashkinë Tepelenë.

Kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, u shpreh për ATSH-në, se “ekipet e bashkisë dhe grupet e patronazhimit janë çdo ditë derë më derë, për të ndihmuar këdo që gjendet në vështirësi”.

Bashkia Tepelenë deri tani ka asistuar me ndihma me ushqime, rreth 1200 familje në nevojë në të 4 njësitë administrative të saj: Tepelenë, Qendër Tepelenë, Lopës dhe Kurvelesh.

Peçi tha se, në programin në vijim të operacionit humanitar, në kushtet e situatës COVID-19, parashikojmë të asistojmë me ndihma ushqimore edhe 300 familje të tjera, duke shënuar një total mbështetjen për 1500 familje në nevojë, në bashkinë tonë, pa llogaritur këtu  siç  u shpreh ai, “mbështetjen ndaj personave të moshuar apo pensionistëve të vetmuar që shënojnë rreth 340 persona”.

Kreu i bashkisë Tepelenë, i bën apel qytetarëve për respektimin e masave dhe protokolleve të mbrojtjes nga COVID-19, gjatë periudhës së lehtësimit gradual të lëvizshmërisë dhe hapje së qarkullimit, si faktor shumë i rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.  e.xh/ /a.g/