ATSH/ – “KQZ nuk mund të jetë më një organ politik, i cili ruan privilegjin e partive të mëdha”.
Duke folur në Kuvend Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot se, “Europa nuk është një koncept abstrakt, asnjë proces burokratik. Europa është një qasje të cilën fatkeqësisht opozitarët tonë nuk e duan. E para dhe kryesorja drejtësia dhe frika serioze prej saj”.
E dyta, theksoi Spiropali janë privilegjet që kërkon të ruajë opozita.
“Për çfarë kishim rënë dakord në atë marrëveshje që u firmos mes palëve. Pikërisht për të ndryshuar skemën e vjetër dhe bajate të përfaqësimit politik jo vetëm në KQZ, por në të gjithë administrimin zgjedhor. Dakord ramë pak a shumë, pa dëshirën tonë, dakord që administrimi zgjedhor në nivelet e tjera nuk mund të ndryshojë tani. Ama KQZ nuk mund të jetë më një organ politik, i cili ruan privilegjin e partive të mëdha, por nuk garanton liritë apo zgjedhjet e qytetarëve shqiptarë”, tha ajo.
“Doli që nuk paska qenë ky problemi. Drejtësia në zgjedhje nuk paska qenë problemi i opozitës. Atëherë mund të më thoni se për çfarë arsye janë hedhur mijëra molotovë drejt institucioneve të shtetit, janë plagosur qindra policë, qytetarë, të keqpërdorur në dyert e institucioneve. Pse u braktis Kuvendi i Shqipërisë? Pse u braktisën zgjedhjet. Çfarë borxhi i kemi ne opozitës jashtë parlamentare e cila thyen edhe këtë marrëveshje të arritur. Nuk i kemi asnjë borxh. Po ne borxh i kemi institucioneve të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Në këtë institucion në Kuvendin e Shqipërisë ne do të votojmë reformën zgjedhore, patjetër duke negociuar duke mos pasur asnjë tabu dhe duke bërë atë që është e drejtë për qytetarët”, u shpreh Spiropali.
“E para fare e punës ishte që ata e e futën reformën në kushtet e integrimit. Kjo ishte një hile, jo për t’ja shtirë dorën Shqipërisë, por për t’i vënë stërkëmbëshin Shqipërisë, pikërisht aty në pragun e çeljes së negociatave. Të njëjtën gjë po bëjnë tani dhe sado që ne të dakordësohemi. Sado vullnet të kemi dhe sado të madh ta kemi durimin në raport me këtë opozitë ikanake, ajo nuk ka për t’u kthyer sepse po kërkon tani jo arsye për të fituar, sepse për të fituar nuk fiton dot, por alibi për humbjen. Dhe këtu qëndron problemi i mosgjetjes së dakordësisë me opozitën. Sepse nuk ka rrugë për ta gjetur dakordësinë sepse mungesa e dakordësisë buron nga frika e tyre dhe jo nga pasioni për fitoren apo afrimin e zgjedhjeve”, tha ajo.
“Në pikën që jemi patjetër edhe opozitës parlamentare i kemi borxhin për të diskutuar, për të debatuar si shqiptarë, për të parë mënyrat e bashkëpunimit dhe në fund patjetër për të votuar sipas bindjeve tona. Po askush nuk na vë dot ne kushte aq më pak ata që ikën”, tha Spiropali.
/gj.mima/ /a.g/