TIRANË, 8 qershor/ATSH-Maela Marini/ Godina qendrore e Akademisë së Arteve është një objekt i rëndësishëm i Trashëgimisë Kulturore dhe si i tillë, jo vetëm është transformuar së brendshmi në kuadrin e Paktit për Universitetin, duke garantuar kushte optimale për studentët e pedagogët, po edhe është rivlerësuar/restauruar në të gjithë elementët që e bëjnë atë një gur të çmuar të gjerdanit të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ishin sot në godinën e restauruar te Akademisë së Arteve.

Rama informoi se “të enjten bëmë një mbledhje për këtë investimin e madh që do të bëjmë për kampusin”. “Tek investimi kemi kampusin lart, zonën e konvikteve, Akademinë e Policisë dhe Akademinë e Arteve. Do të bëjmë komplet investimin edhe për atë gjysmë elipsin dhe për sallën. Brenda vjeshtës besoj do ta fillojmë si investim pastaj do të shohim si do të përshkallëzohet. Do të zgjidhim edhe lëvizjen e 1 mijë studentëve”, tha Rama.

Duke vizituar ambientet e Akademisë së Arteve, Rama solli në vëmendjen edhe investimet që u kryen në Teatrin e Operas e Baletit.

“Teatri i Operas kishte një banjë poshtë, tani ka 87, plus dhomat individuale për solistët etj. Kjo praktikisht u bë që të krijojë të gjitha kushtet”, tha Rama.

Ndërsa ministrja Margariti theksoi se “kemi mbërritur në fazën e përfundimit të restaurimit të gjithë godinës së Universitetit të Arteve, godinës historike të ndërtuar në vitin ’39 dhe që nuk kishte kaluar ndonjëherë në një restaurim të plotë”.

“Ka përfunduar brenda afateve edhe pse kemi qenë në një periudhë të vështirë me tërmet dhe pandemi. Afati është respektuar dhe kemi realizimin e të gjithë restaurimit të sallave dhe zyrave. Projekti që u prezantua nga studentët në kuadër të Paktit për Universitetin, në fakt është një punë e studentëve për studentët sepse është realizuar nga studentët e fakultetit të Arkitekturës në bashkëpunim me studentët e Arkitekturës së Xhenovës”, tha Margariti.

Ajo theksoi po ashtu se po bëhet studimi i fizibilitetit i gjtihë zonës, në kuadër të marrëveshjes që kemi bërë për të gjithë hapësirat universitare, jo vetëm prë universitetin e Arteve.

“Në godinën ekzistuese është bërë një ndryshim rrënjësor me tavane me ndriçim, gjithë sistemi mekanik-elektrik, panele akustike, sistem qendror ngrohje-ftohje. Është bashkëinvestim i universitetit dhe qeverisë, 30% e fondit vjen nga universiteti i Arteve. Ka pasur shumë dialog me pedagogët që kanë dhënë shumë frymën e tyre se si e kanë dashur të jetë universiteti i restauruar. Tani ngel premtimi që i kemi dhënë Universitetit për sallën e Akademisë. Kemi filluar fazën e studimit dhe kemi qenë rigoroz në ruajtjen e detajit historik. Janë parë dokumentet e vjetër për pjesën e ngjyrave”, tha ajo.

Margariti tha se “është bërë një studim bashkë me Universitetin e Firences me mbështetjen e TAP-it në kuadër të përgjegjësisë sociale”. “Kemi dalë me një studim fizibiliteti dhe kemi një parashikim kostosh. Duam të rishikojmë disa pjesë të sistemit mekanik për të thjeshtuar ndërhyrjen”, tha ajo.

ATSH