ATSH/ Pallati i Kulturës në Lezhë do të rikonstruktohet duke siguruar kushte bashkëkohore për artistët lezhjanë.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, në një takim me artistë lezhjanë në 54-vjetorin e ansamblit “Çiftelia” siguroi se “do ta bëjmë me çdo kusht Pallatin e Kulturës”.

“Do të alokojmë fonde për projektin dhe do të gjejmë me çdo mënyre fonde, qoftë me fonde bashkie, nga qeveria apo donatorët. Është e papranueshme më kjo situatë dhe që ajo të jetë një godinë që nuk i shërben artit”, tha Ndreu.

Ai theksoi se “nuk mundet që të lëmë mënjanë artin, por kjo ka nevojë edhe për godinën në mënyrë që artistët të kenë kushte për të zhvilluar punën e tyre”.

Në takim me artistët u diskutua për çështje të kulturës lezhjane, traditës dhe projekteve të reja për t’i dhënë ritëm jetës në Lezhë.

/m.m/r.e/