Stuhia e dëborës, e shoqëruar me temperatura të ulëta ka provokuar një situatë të pazakontë në qytetin e Elbasanit. Për herë të parë pas shumë vitesh bie borë me intensitet të lartë, për më tepër e shoqëruar me ngrica çfarë e bën mjaft problematik qarkullimin e automjeteve dhe padyshim edhe të qytetarëve.
Vec problemeve të shumta nëpër fshatra, shqetësuese ësht situata edhe në qytetin e Elbasanit, ku një pjesë e madhe e rrugëve në qytetin e Elbasanit janë nën pushtetin e akullit. Akulli ka pushtuar cdo rrugë, park, trotuar cka ka bërë që jo vetëm qarkullimi i automjeteve të vështirësohet, por edhe ai i qytetarëve.
Akulli ka sjellë probleme edhe tek qytetarët ku ka pasur raste ku në spitalin rajonal të Elbasanit janë paraqitur persona me fraktura për shkak të rrëshqitjeve.
Gjatë mesditës dhe mbrëmjes së sotme, mësohet se dhjetëra automjete janë karamboluar pasi nga rrëshqitur nga dëbora. Drejtuesit e automjeteve në Elbasan zakonisht nuk mbajnë zinxhirë pasi në qytet bie rrallë dëborë. Ndaj dhe gjendja e krijuar i ka kapur të pa përgatitur.
Ndërkohë bashkia e Elbasanit vijon kriposjen e rrugëve të qytetit në mënyrë që të mbajë të hapura rrugët dhe të mundësohet qarkullimi i automjeteve.
Rekomandohet që drejtuesit e automjeteve të evitojnë lëvizjet. Ose të pajisen me zinxhirë. Dëshira për të gëzuar dëborën mund të jetë me pasoja. Ndaj kujdes!!
Ndërkohë edhe pse ky fillim jave ka nisur me diell, temperaturat vijojnë të jenë shumë të ulëta duke e bërë të pamundur shkrirjen e akullit.
Edlira Xherri