ATSH-DPA/ – Formula 1 do të rikthehet në Afrikë për herë të parë që nga viti 1993, pasi Ruanda ka siguruar një marrëveshje 10-vjeçare për organizimin e Çmimit të Madh të Afrikës. bëhet e ditur përmes një deklarate zyrtare të Formula 1.
Gara e parë në Ruandë do të zhvillohet pas përfundimit të ndërtimit të një piste të re në Bugesera, rreth 40 kilometra në jug të kryeqytetit Kigali.
Projekti pritet të përfundojë në fillim të viteve 2030, ndërsa data e saktë e garës së parë nuk është përcaktuar ende.
Sipas organizatorëve, pista do të projektohet në harmoni me peizazhin natyror të zonës, duke shfrytëzuar ndryshimet në lartësi për të krijuar një garë sfiduese dhe spektakolare.
Projekti synon gjithashtu të ofrojë kushte të mira për ndjekjen e garave nga publiku.
Presidenti i Formula 1, Stefano Domenicali, e cilësoi marrëveshjen si një moment historik për sportin. Ai theksoi se rikthimi në Afrikë do të bëjë që Formula 1 të zhvillojë gara në të gjitha kontinentet e banuara, duke afruar kampionatin me tifozët në mbarë botën.
Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, deklaroi se vendi është krenar për mundësinë e organizimit të garës, duke theksuar se më shumë se 100 milionë tifozë në Afrikë, shumë prej tyre të rinj, do të kenë mundësinë ta përjetojnë sportin nga afër.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të mundësive për afrikanët në fusha si inxhinieria, teknologjia, sipërmarrja dhe pilotimi.
Megjithatë, vendimi për të zhvilluar garën në Ruandë shoqërohet me polemika.
Organizata për të drejtat e njeriut kanë akuzuar vendin dhe presidentin Kagame, i cili është në pushtet prej shumë vitesh, për përdorimin e aktiviteteve të mëdha sportive për të përmirësuar imazhin ndërkombëtar të qeverisë, një praktikë e njohur si “sportswashing”.
Ruanda ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare vitin e kaluar, kur priti Kampionatin Botëror të Çiklizmit në Rrugë. /Ad.Ab./ a.jor.



























