Parku i Viroit, 3 km larg Gjirokastrës, një nga zonat më të bukura të qytetit të gurtë, po pastrohet nga bimësia në sipërfaqen e ujit të liqenit dhe në sistemimin e parkut në tërësi.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi , bën të ditur se “pas lehtësimit të masave nga pandemia, Viroi mbetet një nga pikat më të frekuentuara në Gjirokastër”.
“Kemi nisur gjithashtu diskutimin me specialistë të fushës për të parë mundësinë e furnizimit me ujë të liqenit edhe në muajt e verës në mënyrë që të mos thahet. Nuk e di çfarë do të rezultojë e sa do t’ia dalim mbanë pasi nuk është totalisht në dorën tonë, megjithatë do të bëjmë përpjekje maksimale”, – thekson Golemi.
Për të gjithë këtë infrastrukturë çdo ditë janë të angazhuar punonjësit e Agjencisë së Pastrimit dhe Mjedisit të bashkisë së Gjirokastrës.
Peizazhet mbresëlënëse të këtij parku janë një mundësi e mirë për qytetarët dhe turistët. Mundësia e ecjes në këmbë apo me biçikletë anës së liqenit, por edhe shijimi i peizazhit shumëngjyrësh po tërheq gjithnjë e më tepër qytetarët, por edhe turistët gjatë sezonit sezonit turistik në këtë zonë, e cila është bërë pjesë e guidave turistike.
Të apasionuarit pas zhytjes kanë mundësi të eksplorojnë një burim, që mendohet se ka lidhje me 4 burime të tjera, Syri i Kaltër, Skotini, liqenin e Kallpaqit dhe Janinës.
Ndryshimet e kryera në parkun e ndodhur në veriperëndim të qytetit të gurtë, kodrat rreth tij dhe pamja piktoreske me liqenin dhe burimin e Mëmës së Viroit e bëjnë mjaft joshës këtë Monument Natyre, status të cilin e ka përfituar në vitin 1982 dhe vazhdon ta mbajë me krenari./k.s//a.a/atsh