TIRANË, 31 maj/ATSH/ Puna për ndërtimin e segmentit rrugor Palasë-Dhërmi me gjatësi 4.45 km, pjesë e aksit Orikum-Himarë, një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit, po vijon me ritme të larta.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se kanë përfunduar punimet për gërmimin e trupit të rrugës në një gjatësi prej 2.8 km dhe të gjitha veprat e artit të parashikuara në projekt.

Sipas ARRSH-së, po kryhen punime për mbushjen e bazamentit të rrugës dhe realizimin e shtresës së stabilizantit.

Rruga Palasë-Dhërmi, 4.5 km e gjatë është një aks i rëndësishëm që lehtëson lëvizjen e automjeteve përgjatë bregdetit të jugut.

Në këtë projekt, përveç plotësimit me sinjalistikë veprave të artit, është parashikuar edhe ndërtimi i disa rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara.

Aksi i ri do të zgjerojë segmentin aktual të kësaj gjurme dhe do ta përshtasë që të ketë akses me daljen e tunelit të Llogorasë.

Në total ndërtimi i rrugës do të kushtojë 16 milionë dollarë. Rruga do të jetë e një kategorie të lartë për sa i përket sigurisë rrugore, ndërsa pritet të përfundojë në fillim të sezonit të ardhshëm veror. /j.p/