ATSH/ Numri i nxënësve që do të hyjnë në shkollat e reja të rilindura nga Programi i Rindërtimit ka arritur në 50 mijë.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj inspektoi sot shkollën 9- vjeçare dhe kopshtin “Kastrioti” në Derven të Krujës, tanimë e rilindur.
Rama tha se rindërtimi i shkollës është si një pasqyrë ku shihet qartë dallimi mes nesh e atyre që i lanë shkollat, fëmijët, mësuesit në mëshirë të fatit.
Ahmetaj deklaroi se janë 160 shkolla të reja brenda zonës së goditur nga tërmeti që vazhdojnë të ngrihen të bukura e të forta mbi rrënojat e të shkuarës.
Shkolla “Kastrioti”, ku bashkangjitur ndodhet edhe kopshti, ka 15 ambiente, 9 klasa, laboratorë dhe ambiente sportive të brendshme e të jashtme.
Ndërtimi i shkollës, sipas drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, edhe pse një sfidë në aspektin gjeologjik për shkak të vështirësisë që terreni paraqiste, ofron standardet më të larta.