ATSH/ Si sot, 25 vjet më parë, më 15 gusht 1997, në Romë të Italisë u nda nga jeta kompozitori Çesk Zadeja.

Zadeja lindi në Shkodër dhe mësimet e para në fushën e muzikës i mori pranë Kishës Françeskane, në korin e kësaj kishe. Duke parë talentin e tij, e dërguan në shkollë për kompozicion, në një nga akademitë më të mira në botë, siç është Santa Cecilia në Romë.

Me një erudicion kulturor muzikor, vitet e para të pas luftës do ta gjenin atë përgjegjës të departamentit muzikor pranë Radio Shkodrës e më pas do të bëhej pjesë e strukturave kulturore të ngritura në vend si Ansambli Artistik i Ushtrisë. Për këto arritje dërgohet në Moskë për të kryer konservatorin Çajkovski të Moskës nga ku me ardhjen në Tiranë, emërohet udhëheqës artistik në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe më pas profesor në Konservatorin e Tiranës.

Ai do të jetë edhe pjesë përbërëse e një plejade të suksesshme të udhëheqësve artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit. Muzikologjia e tij do të përkujtohet me respekt jo vetëm në Shqipëri, dhe me plot gojën do të mund të themi që është një gur i forte i muzikologjisë europiane. Në këtë përvjetor të largimit nga jeta, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ofron dy dokumente, një foto të kompozitorit si dhe një dokument shkruar prej tij. /j.p/