UASHINGTON, 19 shkurt /ATSH-AFP/ – Roveri ”Perseverance” mbërriti në tokën e Marsit pas shtatë muajve udhëtim, njoftoi sot agjencia hapësinore amerikane, një arritje e madhe për NASA-n që shënoi fillimin e një misioni disa-vjeçar.

“Mbërritje e konfirmuar!”, njoftoi Swati Mohan, i ngarkuar me kontrollin e operacioneve.

Në sallën e kontrollit të Jet Propulsion Laboratory, në Pasadena, ekipet e pranishme shpërthyen nga gëzimi.

NASA ka komunikuar menjëherë një imazh të marrë nga roveri në vend.

“Mirëdita botë! Imazhi im i parë nga shtëpia që do të jetë e imja përgjithmonë”, theksoi në një mesazh në Twitter llogaria zyrtare e roverit duke shoqëruar një imazh të jashtëzakonshëm bardhë e zi, në të cilën mund të shihet hija e një automjeti të projektuar në Tokë.

Krateri Jezero, për të cilin shkencëtarët besojnë se përmbante një liqen 3,5 miliardë vjet më parë, ishte vendi më i rrezikshëm i ndalimit që NASA-s kishte tentuar ndonjëherë.

”Perseverance” do të ngarkohet për të mbledhur aty prova të jetës antike në Mars./ /ec/