Një infermiere është plagosur sot (21 prill) nga një 36-vjeçar në Lushnje. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 në fshatin Arrëz, ndërsa policia arrestoi autorin.
“Shtetasi A. M., 36 vjeç, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasen A. T., 59 vjeçe, infermiere në qendrën shëndetësore në fshatin Arrëz, e cila kishte shkuar në banesën e autorit për t’i bërë gjilpërën nënës së tij të sëmurë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pasi ka goditur infermieren, shtetasi A. M. është larguar nga banesa, por pas reagimit të menjëhershëm të Policisë u kap dhe u arrestua në flagrancë, në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja.
Infermierja e plagosur ndodhet në spitalin e Lushnjës, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
/Ora News.tv/