Bashkimi Evropian është shumë afër mbylljes së procedurave për miratimin të agjendave të reformave, të cilat i kanë paraqitur vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Përfituese të Planit – që u miratua nga BE-ja në maj – janë të gjitha vendet e rajonit: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.
Kurse Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “para financim”, që i bie rreth 61 milionë euro.
Maqedonia e Veriut do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 52.5 milionë.
Serbisë do t’i jepen gjithsej 1.58 miliard euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë euro.
Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë euro, ndërsa si “para financim” 26.8 milionë euro.
Ndërsa Bosnje e Hercegovina, nga totali i planit, do të kishte në dispozicion 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa si “para financim” 76 milionë.
Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare përfiton, është bërë në bazë të Prodhimit të Brendshëm Bruto, numrit të banorëve dhe të disa kritereve të tjera.Si do ta ndihmojnë Ballkanin 6 miliardë eurot e kushtëzuara të BE-së?
Që në prezantimin e parë të këtij plani, më herët këtë vit, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse ndonjëri nuk i kryen reformat pas një-dy vjetësh, atëherë shuma e premtuar për të do t’u jepet vendeve tjera.
Plani, po ashtu, ka qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk ka në asnjë mënyrë qëllim të krijojë ndonjë alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin në BE të këtyre vendeve më të lehtë.
Bashkimi Evropian do që pagesat e para nga ky plan të kryhen sa më parë dhe të nisë zbatimi i projekteve që do të financoheshin përmes tyre.
Në të njëjtën kohë, në BE rikujtojnë edhe kushtet që duhet të përmbushen gjatë gjithë procesit të realizimit të projekteve.
Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kontrollin financiar dhe auditimin e duhur sipas standardeve evropiane, ndërsa në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, kusht specifik është edhe angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre.
Në rast të keqpërdorimit të këtyre mjeteve, BE-ja do të mund të kërkojë kthimin e tyre, ndërsa mjetet e pashfrytëzuara nga ndonjë vend, do të mund të shfrytëzoheshin për një vend tjetër të rajonit.
Deri më tani, ky është plani më ambicioz i veçantë i Bashkimit Evropian për vendet e rajonit, i cili nuk është pjesë e mjeteve të rëndomta nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat u dedikohen vendeve nga procesi i zgjerimit, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor. /REL/
/rtsh.al/