ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, bëri një pasqyrim të Planit Kombëtar të Pastrimit në disa qarqe të vendit.
“Kur e nisëm një vit më parë Planin Kombëtar të Pastrimit, ishim të bindur se s’do ishte as një aksion për ca ditë dhe as për ca javë, por mirëfilltazi një plan i strukturuar në 12 qarqet e vendit sepse të jesh sot Patriot e të duash këtë tokë, do të thotë ta mbash rrugën jashtë pragut ashtu si shtëpinë tënde”, shkruan ministrja Kumbaro.
Gjithçka filloi në Vlorë, nëntorin e kaluar, ku tashmë janë pastruar 396 pika problematike, me angazhimin e 8088 personave dhe përdorimin e 105 mjeteve.
Në qarkun Durrës, rezultojnë 272 hotspote të pastruara, janë përfshirë 3904 persona dhe janë përdorur 24 mjete. Ndërsa në qarkun Dibër janë pastruar 142 pika problematike, me ndihmën e 1482 personave dhe 18 mjeteve.
Në Planin Kombëtar të Pastrimit janë angazhuar forcat e ushtrisë, administratës, personele të bashkive, shkollave dhe grupeve vullnetare që, siç shkruan ministrja Kumbaro, do të jenë krah edhe në vitin e dytë të vazhdimit të planit.