ATSH/ Porti i Durrësit vijon të luajë rol të rëndësishëm në transportin e mallrave drejt dhe nga Kosova.
Rreth 53 mijë tonë mallra tranzit nga/drejt Kosovës janë përpunuar gjatë periudhës janar-prill të këtij viti në Terminalin Lindor dhe në atë Perëndimor të portit të Durrësit.
Nga të dhënat statistikore portuale, mësohet se mallrat kryesore që mbërrijnë me anije në portin më të madh të vendit dhe që kanë si destinacion Kosovën janë rrotativat me llamarina, xhamat, çimento dhe hekuri për ndërtim.
Në Terminalin Perëdimor në këto katër muaj janë shkarkuar 15,540 tonë llamarina, 6,720 tonë xhama, 3,230 çimento dhe 2,450 hekur për në Kosovë. Ndërkaq, në Terminalin Lindor nga anijet janë përpunuar 24,864 tonë qymyr gjithsej, që transportohet më pas me automjete drejt Kosovës.
Gjatë vitit 2019, në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 31 anije me afro 106 mijë ton mallra, të cilat janë nisur më pas drejt Kosovës. /k.s/j.p/