Mediat amerikane kanë përqendruar informacionin sot, totalisht rreth gjendjes shëndetësore të Presidentit Donald Trump. Orët e fundit ata raportojnë se ndodhet në gjendje rreziku dhe se 48 orët e ardhshme janë kritike për jetën e tij.

Presidenti është 74-vjeç dhe të dhënat tregojnë se ritmet e shtrimit në spital janë 5 herë më të larta për grupmoshën e tij se sa për 18-29 vjeçarët, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Po ashtu rreziku për vdekje është 90 herë më i lartë.

Sipas rezultateve të analizave të tij më të fundit, presidenti është 1.9 metra i gjatë dhe peshon thuajse 111 kg. Sipas këtyre shifrave, ai konsiderohet mbipeshë i kategorisë obeze.

Kjo e trefishon rrezikun për shtrim në spital, sipas Qendrës Për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Përgjithësisht, dikush që ka këto veçori kërkon vëmendje të madhe”, thotë Amesh Adalja, mjek i sëmundjeve ngjitëse dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins. “Por kjo nuk do të thotë se ai medoemos do të kalojë një sëmundje të rëndë”, thotë eksperti.

“Ky virus ka shfaqur trajektore të ndryshme në çdo person. Nuk dimë mjaftueshëm përse disa individë, megjithëse janë në grupin më të rrezikuar, e kalojnë më lehtë se të tjerë”.

Por me çfarë po mjekohet Presidenti Trump? Mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti mori një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitamin D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.

REGN-COV2, ilaçi i kompanisë Regeneron, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si anti-trupa monoklonale – kopje të prodhuara të anti-trupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.

Kjo teknikë po përdoret gjerësisht për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Deri më tani ka vetëm të dhëna të kufizuara për anti-trupat e COVID-19, por kreu i departamentit për sëmundjet infektive Dr. Anthony Fauci është ndër personat që kanë thënë se është premtuese.

Kompania Regeneron njoftoi këtë javë rezultate testimesh që tregojnë se ilaçi i saj me anti-trupa përmirësoi simptomat e pacientëve me COVID-19 që nuk janë shtruar në spital, pa asnjë efekt serioz anësor dhe njoftoi se synon të hyjë në bisedime me Agjensinë e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të marrë autorizim për përdorim emergjence.

Po të premten, paradite, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.

Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.