ATSH/ Eksperienca italiane e kultivimit të rrushit në serra është përhapur tashmë në të gjithë vendin tonë dhe politikat e qeverisë po adresojnë mbështetje përmes të gjithë instrumenteve financiarë, për zhvillimin e këtij sektori për prodhimin e rrushit sipas standardeve më të mira.

Aktualisht fermerët në Fier dhe Lushnjë, kultivojnë prodhimin në sipërfaqe më të mëdha të rrushit në serra, që është mjaft i kërkuar nga tregjet e huaja.

Zv.kryeministri Erion Braçe bën të ditur se “ka filluar eksporti i rrushit, sepse kemi edhe rrush në serra”.

“Art Prifti në Krutje e prodhon në më shumë se dy hektarë serrë”- shprehet Braçe, teksa shpjegon se, “Kudret Doga po e eksporton dhe tregtari nga Mali i Zi ka ardhur vetë ta shohë në serra”.

“Më thonë që dogana malazeze nuk e beson që Shqipëria ka rrush në këtë muaj! Ja që ka në Myzeqe, në serrë dhe jemi para të gjithëve! Mbarë e mirë” – shprehet Braçe.

Me një prodhim mesatarisht rreth dhjetëra ton në vit, rrushi i kësaj baze prodhuese në serra të cilësisë së parë, shitet në Kosovë, Kroaci, Rumani, Slloveni, Serbi, Mal të Zi.