TIRANË, 3 qershor/ATSH-Maela Marini/ Pas më shumë se gjysmë shekulli si ëndërr në sirtarin e qeverive shqiptare, projekti i Hidrocentralit të Skavicës, hyn në rrugën e realizimit.
Në prezantimin e projektit, Kryeministri Edi Rama tha se “qeveria jonë do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror këtë vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit”.
Rama theksoi se “Hidrocentrali i Skavicës kompleton kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike, kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore”.
Në këtë mënyrë, Rama tha se “e kthen eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit”.
Kryeministri informoi se “me nisjen sot zyrtarisht të procedurave, kantieri i madh i Skavicës hapet vitin e ardhshëm”.
“Kënaqësi vërtetë që në një hark kaq të shkurtër kohor ne rikthehemi këtu për një tjetër projekt madhor të sektorit elektroenergjetik, pas garës së supersuksesshme ndërkombëtare për pakun e madh me energji diellore të Karavastasë”, tha Rama.
Por, Kryeministri theksoi se “shija e sotme është e ndryshme dhe sigurisht është vërtetë një shije shumë e veçantë për faktin se bëhet fjalë për një ëndërr në sirtar të shumë qeverive të Shqipërisë, qysh në vitet ’60, që lidhet me finalizimin e projektit të kaskadës së Drinit”.
“Të gjithë e dimë se ky projekt është i pafinalizuar si rezultat i mungesës së këtij komponenti të 4-t, HEC-it të Skavicës që del në pah qysh në shkrimet e Dhimitër Fragut në mesjetë si pronë e Skënderbeut dhe bastion i rëndësishëm i qëndresës. Kanë kaluar shumë vite nga viti ’63 pas ndërtimit të Vaut të Dejës, pastaj Fierzës e Komanit. Skavica mbeti thjesht një plan i parealizuar. Gjërat rrodhën ndryshe dhe me ndryshimin e sistemit u bënë nga të gjitha qeveritë përpjekje”, tha Rama.
Rama tha se “sigurisht që edhe ne i kemi bërë përpjekjet tona për të adresuar ndërtimin e këtij HEC-i në rrugë të zakonshme me kontribut të sipërmarrjes”.
“Por duke parë qartësisht rëndësinë, duke parë me shumë vëmendje historinë e dështimeve të mëparshme të të gjitha qeverive të mëparshme dhe duke vlerësuar domosdoshmërinë në kushtet aktuale në kuadrin e planit të përgjithshëm kombëtar ekonomik e social, që ne jemi në fazën e finalizimit, ku ka hyrë tanimë edhe elementi i rimëkëmbjes si rezultat i goditjes së fortë nga COVID-i, kemi vendosur që këtë vepër të madhe ta financojmë 100% me burime të shtetit shqiptar”, tha Rama. /a.a/