/ATSH/ Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj ndoqi sot nga afër zhvillimin e provimit të parë të Maturës Shtetërore 2020, në shkollat e mesme “Siri Shapllo” dhe “Asim Zeneli”, Gjirokastër.
Në kuadër të situatës së krijuar, provimet e Maturës Shtetërore, këtë vit po zhvillohen nën masa të rrepta antiCOVID, duke pasur si prioritet thelbёsor mbrojtjen e shёndetit tё maturantёve dhe respektimin e protokollit tё pёrcaktuar nga Ministria e Shёndetёsisё dhe Mbrojtjes Sociale.
Prefekti shprehu mirënjohje për çdo nxënës, prindër dhe mësues për përballimin me sukses në mbylljen e këtij viti shkollor jo pak të vështirë.
Ai theksoi rëndësinë e kujdesit që maturantët duhet të tregojnë gjatë hapave të jetës në mënyrë që të zgjedhin gjithmonë të mirën e të bëhen njerëz që i shërbejnë shoqërisë dhe vendit.
Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Gjirokastër-Libohovë-Dropull, Albana Hasanaj shprehu urimet për të gjithë maturantët në provimet e Maturës Shtetërore.
Ajo tha se falë angazhimit maksimal të ZVA Gjirokastër në bashkëpunim me drejtoritë e shkollave po ofrohen kushte optimale që nxënësit të shfaqin më të mirën në këto provime.