ATSH/ Bashkë me fillimin e sezonit të ri shkollor edhe Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë do të mbushet me cicërimat e fëmijëve.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi sot në këtë qendër kanë filluar regjistrimet për kurset e artit: balet, aktrim, këngë, piano, violinë, pikturë, skulpturë.
“Sfida jonë është ngritja e një Qendre të re Kombëtare Kulturore për Fëmijë, ku të përfshihet edhe Teatri i Kukullave, që do të jetë e hapur jo vetëm për fëmijët e kryeqytetit, por si një pol i ri kulturor që do të rrezatojë në të gjithë Shqipërinë”, – tha Margariti.
Sipas saj, fëmijët janë e ardhmja dhe së bashku duhet të punojmë më shumë që t’i afrojmë ata me dijen, artin dhe kulturën.
Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë e frekuentojnë fëmijët që kanë dëshirë të hyjnë në labirinthin magjik të tingujve, të ngjyrave dhe të fjalës. Fëmijët e moshave të ndryshme ushtrojnë në këtë qendër pasionet e tyre në piano, kitarë, balet apo pikturë, por edhe argëtohen në ambientet moderne të qendrës.
Dijenitë e marra, fëmijët i shfaqin në organizime të ndryshme të kësaj qendre./k.s/j.p