Lajmi u bë i ditur sot nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi rëndësinë që ka qyteti i Krujës në hartën kulturore dhe turistike të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 55 mijë vizitorë kanë zgjedhur të vizitojnë Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, i cili ruan dhe paraqet me krenari historinë e një prej figurave më të rëndësishme të kombit shqiptar. Ndërkohë, rreth 10 mijë vizitorë kanë eksploruar Muzeun Etnografik të Krujës, ku ekspozohen objekte të trashëgimisë kulturore që pasqyrojnë jetesën tradicionale të trevës.
Ministri Gonxhja u shpreh se këto shifra dëshmojnë një rritje të vazhdueshme të interesit të publikut për historinë dhe kulturën shqiptare, duke e kthyer Krujën në një ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.
Kruja mbetet një simbol i krenarisë kombëtare, dhe muzetë e saj po tërheqin një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh nga vendi dhe bota, duke kontribuar edhe në zhvillimin e turizmit lokal dhe ekonomik.
/a.gj/ /a.g/