Qershia e Godoleshit njihet për cilësinë dhe shijen karakteristike, ndërsa tregtohet jo vetëm në tregun vendas, por edhe jashtë vendit, duke u kthyer në një burim të rëndësishëm ekonomik për shumë familje të zonës.

Pikërisht për të mbështetur fermerët dhe për të rritur më tej potencialin e prodhimeve vendase, në Godolesh u zhvillua një bashkëbisedim me kultivuesit e qershive dhe fermerët e zonës, ku morën pjesë kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Dhimo Kote.

Gjatë takimit u prezantua Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026, një program që synon të lehtësojë fermerët përmes subvencioneve dhe politikave mbështetëse në sektorin bujqësor.

Diskutimet u fokusuan te sfidat e fermerëve, zgjerimi i tregjeve dhe rritja e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte prezantimi i “Eko Rural Elbasan” sh.a., si një mundësi e re për fermerët e bashkisë Elbasan.

Kjo nismë synon të ndihmojë në grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore vendase, duke krijuar më shumë mundësi për eksport dhe duke i dhënë më shumë vlerë punës së fermerëve dhe produkteve “Made in Albania”.