TIRANË, 27 qershor/ATSH/ -Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, deklaroi sot se qeveria po përgatit një draft ku synohet një gërshetim i skemës së ripunësimit dhe skemës së formalizimit të krahut të punës.

Denaj ishte sot në Hotel Regina Group në Vlorë që ka investuar pavarësisht pandemisë dhe është gati për sezonin turistik.

Hotel Regina Group i ndihmuar nga Paketa e Zgjeruar e Qeverisë, sot ka kthyer në punë 100% të stafit.

“Një lajm shumë i mirë për Vlorën hapja e një hoteli të ri, i cili pas hapjes së ekonomisë anunçoi dhe fillimin e një sezoni turistik”, tha Denaj.

“Jemi hapur për këtë sezon turistik. Si shumë gjëra të bukura që janë bërë në Vlorë për t’u paraqitur si një qytet turistik”, tha investitori Vasil Bedinaj.

I pyetur nga ministrja Denaj se si e kaloi situatën e pandemisë, ai u shpreh se “për 2 muaj e parë patëm shumë shkurtime. Përfituan pagën 40 mijë lekë që u kaloi menjëherë. Por nga fillimi i majit i kemi rikthyer pothuajse 100% në punë sepse është shumë e vështirë për ne që të humbasim punëtorë të trajnuar”.

I pyetur sesa përqind e kapacitetit parashikohet këtë vit, ai theksoi se, “shpresoj që të arrijmë 50% e vitit sepse mendoj që korriku dhe gushti do të jenë pozitivë dhe kjo është për shkak të turizmit patriotik të Kosovës që ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm në rezervime dhe kërkesa nga ana e tyre”.

Ministrja Denaj tha se, “jemi duke u përpjekur që nëpërmjet promovimeve të ndryshme të iniciativave shqiptare të flasim shqip me të gjitha shërbimet, duke folur shqip që nga hoteleri-turizmi dhe në të gjitha shërbimet e tjera sikundër të prodhimit”.

“Besoj se Vlora si qytet, apo jugu i Shqipërisë në tërësi e ka kaluar atë fazën e të ndenjurës mbrapa, tani konkurrojmë. Ne shohim vlerësimet që bëjnë turistët e huaj në booking dhe aty unë shoh që Vlora, hotelet me 4 yje dhe 5 yje në jugun e Shqipërisë jemi mbi 8.5. dhe 8.5 është njësoj si në Greqi, njësoj si në Mal të Zi, njësoj si në Kroaci”, tha Bedinaj.

“Aktualisht jemi duke përgatitur një draft, një vendim i Këshillit të Ministrave, që synon një gërshetim të dy skemave, një është skema e ripunësimit dhe tjera është skema e formalizimit të krahut të punës. Në secilën nga skemat do të ketë kombinim të subvencionit për pagën apo sigurimet shoqërore për punonjësit për një periudhë kohe me kushtin që ju ta mbani për një periudhë më të gjatë kohe. Dhe kjo sigurisht është një avantazh shtesë”, tha ministrja.

“Së dyti, duam që të gjithë personat që punojnë në informalitet, të kenë dhe ata mundësi që të regjistrohen, duke pasur incentiva për të formalizuar me këto skema, mendojmë se do të rrisim një numër më shumë në tregun e punës.  Së fundmi, po mendojmë skema grantesh dhe garancish dhe kemi lancuar vetëm skemat e garancish aktualisht. Skemat e granteve dhe garancish kërkojnë një mbështetje edhe nga donatorët. Besojmë se këto skema në “Shqipërinë 2030″ dhe planin e rimëkëmbjes 5 vjeçare duhet të gjejnë zbatim” tha Denaj.

“Për hoteleri-turizmin, i cili është një nga 3 shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik, për punësimin besoj që ju do të gjeni shumë gjëra”, tha Denaj.

“Çdo ndihmë që jep qeveria me paketa me mbështetje përkthehet drejtëpërdrejt në përfitim për zgjerimin e biznesit dhe përfitim tek klienti. Kështu që çdo iniciativë nga ana e juaj është e mirëpritur. Të jemi të gjithë së bashku për të bërë më të mirën”, tha Bedinaj.

ATSH