ATSH/- Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, reagoi pas kërkesës së ndërkombëtarëve që t’u lejohet serbëve të votojnë në Kosovë për referendumin serb për ndryshimet kushtetuese.

Ahmeti tha se nuk është duke iu mohuar askujt e drejta e votimit, por kjo e drejtë nuk mund të bëhet duke shkelur sovranitetin e një vendi tjetër ndërsa kujtoi dy mundësitë që kanë serbët që duan marrin pjesë në referendum.

“E drejta e votimit nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Por, kjo e drejtë nuk mund të manifestohet duke shkelur sovranitetin e vendin. Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm pretekst për destabilizim eventual të vendit e rajonit”, tha Ahmeti.

Zv.ministri i Jashtëm tha se Kosova, si Republikë, është e barabartë mes fqinjëve në rajon, prandaj duhet t’i shihen edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. PO ashtu, si vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Ahemti u shpreh se duhet të shihene dhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe.

“Njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit. Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”, përfundoi Ahmeti.

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë më ndërmjetësimin e OSBE-së.

“Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE”,  thuhet ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.

“Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur. I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë