ATSH/-Thirrja e katërt për projekte të financuara nga Bashkimi Europian, përmes programit IPARD II, me fokus Turizmin Rural dhe Industrinë e Artizanatit e Manifakturën, është çelur për të gjithë ata që duan të investojnë në këto drejtime të turizmit rural.

Thirrja e katër për aplikime është e hapur deri në datën 25 shkurt dhe përmes saj synohet të të promovohet dhe të hapet një dritare komunikimi për të gjithë aplikantët potencialë për të patur sa më shumë investime në turizmin rural. Buxheti i alokuar nga kjo thirrje për aplikim është 5,2 milionë euro, i bashkëfinancuar në 75 % nga fondet e BE dhe 25 % kontribut i buxhetit të shtetit.

Për të lançuar thirrjen e katërt, Kryeministri Edi Rama, së bashku me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, si dhe Ambasadorin e BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, ishte sot në një prej bizneseve të suksesshme në agroturizëm, përfitues të programit IPARD, nga ku theksoi se ky program garanton një financim jashtëzakonisht të favorshëm, për të gjithë ata që kanë vizionin dhe vullnetin të zhvillojnë ekonominë e tyre familjare, duke besuar tek një potencial i jashtëzakonshëm dhe ende shumë pak i shfrytëzuar, që është potenciali i fshatit e  në këtë rast i agroturizmit.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “faza së re e mbështetjes europiane për zhvillimin e fshatit, turizmit rural, përmes thirrjes së katër të programit IPARD II, që garanton një financim të favorshëm për të gjithë ata që kanë vizion dhe vullnetin të zhvillojnë ekonominë e tyre familjare, është mundësia më e mirë për zhvillimin e ekonomisë rurale”.

I Pranishëm në takimin që u zhvillua sot në Mullet të Tiranës, ku u lançua thirrja për projekte të financuara nga Bashkimi Europian, përmes programit IPARD II, me fokus Turizmin Rural dhe Industrinë e Artizanatit e Manifakturën, për të gjithë ata që duan të investojnë në këto drejtime të turizmit rural, Rama theksoi se “qeveria ka bërë jo pak në mbështetje të agroturizmit”.

“E filluam këtë punë me një terren tërësisht djerrë duke çelur shtegun për investime në agoturizëm me bindjen se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në këtë drejtim dhe se agroturizmi është përgjigja për shumë familje që jetojnë në fshat dhe kanë shumë larg tregun dhe nuk kanë mundësitë klimaterike e gjeografike apo dhe financiare për të zhvilluar bujqësinë intensive”, u shpreh Rama.

Sipas tij, agroturizmi është përgjigja duke e parë rrugën e zhvillimit nga e kundërta dhe pikërisht dhe pse jeton në një pozicion të tillë, ku për disa arsye e ke të pamundur të përfshihesh në bujqësi intensive, por ke avantazhe, pasi të gjitha ato disavantazhe që janë në raport me bujqësinë, janë avantazhe që të jep natyra, për të investuar.

Rama solli në vëmendje se, eksperiencat e krijuar në këtë fushë tashmë janë të konsiderueshme.

“Në pika të ndryshme të vendit agroturizmi i ka dhënë këtyre familjeve ekonomi shumë herë më të fortë sesa do të kishin  po të ishin larguar nga vendi i tyre. Agroturizmi është një mundësi shumë e mirë edhe për emigrantët që duan të investojnë kursimet e tyre, pasi u jep mundësinë që përmes investime të sigurojnë të ardhura më të larta seç mund të siguronin në emigracion dhe kjo është provuar nga shembujt që ka krijuar agroturizmi sot”, deklaroi kryeministri, teksa vuri në dukej se, “kjo është arsye pse BE dhe qeveria e ka agroturizmin një element të rëndësishëm në programin për ta zhvilluar”.

Rama vuri në dukje se, “sot shembujt e suksesit në tërësi në zhvillimin rural, flasim për një fakt të panegociueshëm. Zhvillimi rural kërkon dije, inovacion edhe një vrap me kohën. nëse shohim sot kemi dy realitete që jetojnë paralelisht me kohën, nga njëra anë janë ata që bëjnë sukses sepse i pararendin atyre pengesave. Kemi dhe ata që nuk bëjnë suksese pasi përpiqen të mbijetojnë duke mos iu përgjigjur kërkesave të kohës.

“Kemi ata që prodhojnë eksportojnë dhe kanë të ardhura të mëdha dhe kemi ata që mbeten me prodhimin në arë ose detyrohen ta hedhin atë në lumë. Të parët i drejtohen mekanizmave mbështetëse të qeverisë e sepse ata e kanë kuptuar që rruga e suksesit është adaptimi me kohën për të përballuar tregun që është gjithnjë e më i hapur. Ndërsa të dytë i drejtohen bllokimit të rrugën, duke i kërkuar shtetit të bëjë atë që nuk e bën dot me sistemin që kemi zgjedhur”, shtoi kryeministri.

Rama ftoi fermerët “të aplikojnë për mbështetje, pasi burimet që i janë vënë në dispozicion bujqësisë janë faktikisht të pakrahasueshme me të shkuarën. Ndërkohë që të dytëve i themi mësoni nga të parët, adaptohuni”.

“Nuk mund të mbijetosh sot duke besuar tek një sasi e vogël prodhimi që kërkon blerës me çmim të arsyeshëm, kjo është e pamundur”, tha Rama.

Kryeministri tha se “qasja jonë është e qartë, bujqësia dhe zhvillimi rural do të orientohet nga sipërmarrja dhe ata që angazhohen në këtë fushë kanë mundësi të ndërtojnë sipërmarrje të suksesshme nëse mësojnë nga sipërmarrjet e suksesshme”.