ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërisht sot në platformën X, lidhur me situatën e bllokimit të trotuareve dhe rrugëve në qytetin e Vlorës.

Kryeministri ndau disa foto të një biznesi, ndërsa tha se “ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë””.

Sipas kreut të qeverisë, “kategoria “Pergolatë”, i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta”.

Kryeministri cilësoi në postim se “halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite”.

Rama u bëri thirrje të gjithë zaptuesve të trotuareve në Lungomare që të lirojnë hapësirat publike. Kryeministri u ka lënë atyre “48 orë afat për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve e të betonarmeve, duke i tërhequr njëkohësisht “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares”.

“Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë”, përfundoi Kryeministri Rama.