Gjatë takimit me drejtuesit e sistemit bankar, Rama u shpreh se shkëmbimi i ideve dhe diskutimi i argumenteve janë rruga për të gjetur zgjidhje të reja. Kreu i qeverisë kujtoi protestën studentore të vitit 2018, të cilën e cilësoi si një protestë paqësore, të bazuar te idetë dhe kërkesa për dialog.
“Ndërkohë që dialogu, shkëmbimi i ideve, ballafaqimi demokratik i argumentave, ulja në tryezë për të gjetur rrugë të reja, të cilat mund të na shërbejnë siç na shërbyen në protestën e jashtëzakonshme të 2018-ës që ishte një protestë studentësh paqësore, një protestë pedagogësh dhe studentësh, jo një protestë e disave që përpara se të jenë pedagogë janë flamurtarë të një partie opozitare dhe që vijnë edhe thyejnë karriget e dialogut atje tek Kryeministria me gjithfarë njerëzish që s’kanë lidhje fare me universitetin dhe që nuk distancohen nga dhuna”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se pas protestave të 2018-ës janë arritur rezultate dhe është ndryshuar situata në disa drejtime, teksa kritikoi mediat që, theksoi ai, nxisin dhunën dhe nuk distancohen prej saj.
“Nga protesta e 2018-ës, ne nxorëm mësime, bëmë Paktin për Universitetin. Kemi plot rezultate, kemi ndryshuar tërësisht situatën në shumë drejtime, ka plot akoma për të bërë dhe po punojmë. Çdo ministri sipas marrëdhënieve që ka me një universitet apo me dy në sektorë të ndryshëm, po punon për çfarë është hapi tjetër në momentin kur kjo histeri t’ia lërë vendin logjikës dhe t’ia lërë vendin ballafaqimit, sepse nëse ka një garë për të qenë kritik ndaj qeverisë, për të qenë kritik ndaj administratës, unë jam gati të hyj në garë dhe pretendoj ta fitoj garën me të gjithë kritikët e arsyeshme, por nuk kam asgjë për të ndarë me kritikët e mediave tradicionale të cilët nxisin dhunë”, u shpreh Rama.
“As në Francë, as në Itali, as në Belgjikë, as në Portugali nuk ka ekrane që të nxisin dhunën dhe që të mos distancohen nga dhuna. Në Itali ka një emër për ata që bëjnë dhunë. Është një emër që e përdorin të gjithë gazetarët italianë në të gjitha mediat: “vandalët e vegjël”. Ndërsa këtu janë heronjtë e lëvizjes pseudostudentore”, deklaroi Rama.
/gj.m/j.p/



























