ATSH/ Malësia e Madhe dhe Përmeti kanë ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke u kthyer në destinacione turistike me potencial për zhvillim ekonomik.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në episodin e pestë, të sezonit të shtatë të podkastit “FLASIM”, teksa shtoi se 10 vite më parë perceptoheshin si vende pa perspektivë zhvillimi.
“Duke përgatitur pak minuta më parë këtë episod, që është i pesti i sezonit të shtatë të podcastit ‘Flasim’, po mendoja që njëherë e një kohë, por jo 100 vjet përpara, 10 vjet përpara, qoftë Malësia e Madhe, qoftë Përmeti ishin ndër ato pika në hartën e Shqipërisë që dukeshin shumë larg dhe nga ana tjetër, ku dukej për së largu, pa shkuar, që s’kishte asnjë arsye për të shkuar. Kujtova po ashtu që në kohën kur unë nuk isha ende në këtë detyrë dhe për shkak të detyrës që kisha më parë, duhet të bridhja Shqipërinë.
“Qoftë Malësia, qoftë Përmeti ngjanin si vende pa shpresë, ku, kush ishte aty ishte thjesht ende aty, por të nesërmen s’do të ishte më aty”, u shpreh Rama.
Rama tha se situata ka ndryshuar dhe këto zona janë kthyer në pjesë të një Shqipërie që po zhvillohet përmes turizmit dhe sipërmarrjes.
“Sot janë dy destinacione të Shqipërisë së re, Shqipërisë tjetër që kemi ndërtuar me shumë mund, ndërkohë që nga bulevardi i Tiranës shumëçka mbulohet me retë artificiale të kanaleve sociale dhe të ekraneve”, tha ai.
/m.q/r.e/



























