ryeministri Edi Rama ishte sot në Fabrikën e Ferrokromit, në Elbasan, ku po realizohet një investim i ri 30 milionë USD për rritjen e kapaciteteve përpunuese.
Kryeministri theksoi se “në 7 vitet e fundit janë realizuar 150 milionë USD investime dhe 130 milionë të tjera janë në proces”.
“Janë shumëfishuar kapacitetet përpunuese të prodhimit vendas. Falë investimeve për 5 furra të reja, nga vetëm 1 që funksiononte deri 7 vjet më parë, sot përpunohen në vend mbi 100.000 ton mineral nga maksimumi 28.000, që u përpunuan deri para 7 vjetësh”,tha Rama.
Ai theksoi se “rilindja e sektorit ka ndikuar fort në rritjen e të ardhurave e të vlerës së pagave për punonjësit e sektorit të kromit – paga bruto e minatorit të galerisë ka arritur deri në 1450 USD, e zjarrmëtarit deri në 1230 USD dhe e vagonistit deri në 1020 USD”.
“Zallamahija mesjetare e turmave që mblidhnin mineral me trasta, ku abuzoheshin edhe fëmijët, i përket tanimë të shkuarës”, tha kryeministri.
Po ashtu, kryeministri theksoi se është përmbysur raporti mes komit që ikte e shitej pa përpunuar dhe kromit që përpunohet dhe rreth 300 mijë ton në vit që do përdoret në Shqipëri.
“Kjo ka qenë sfida e sektorit sepse ishte gjendje mesjetare se çfarë merrej nga minierat futej në anije e ikte. Faktikisht në raport me vlerën e shtuar që krijon përpunimi shitej për një copë bukë. Tani edhe shifra zyrtare është pak a shumë në të njëjtat terma. Kemi arritur të përpunojmë më shumë se gjysmën e prodhimit dhe është vlerë e shtuar. Kjo ka sjellë që pagesat të rriten jashtëzakonisht në këtë periudhë për gjithë punonjësit në sektor që janë të lidhur me përpunimit dhe njëkohësisht ambicia është të mos çojmë më asnjë kilogram të papërpunuar jashtë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se “ne besoj se kemi bërë politikën e duhur edhe me rentën”. “Kishte disa nga këta nacional-komunistët të maskuar si liberal europianë që thoshin se renta është për oligarkët, por në fakt ulja e rentës është për sektorin, për ekonominë dhe për gjithë ata që punojnë. Besoj se do të kemi më shumë investime në këtë sektor derisa të ezauruohet edhe volumi i fundit i prodhimit të papërpunuar këtu do të vazhdohet të investohet”, tha ai.
Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se “ndërhyrja për rentën ndikoi drejtpërsëdrejti në rritjen e pagave të punëtorëve”. “Edhe pse ishte viti më i keq i shitjes së kromit në tregun botëror, pagat e gjithë punëtorëve që punojmë në industri këtu nuk u prekën aspak dhe u ruajtën të njëjtat paga që kanë qenë edhe në vitet më të mira. Ndërhyrja e rentës ishte për punëtorët, jo për pronarët”, tha ai.