Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një takim me kandidatët e qarkut të Durrësit për PS-në, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

 

I rrethuar nga strukturat socialiste dhe kandidatët për 3 bashkitë e qarkut, Rama theksoi se këto zgjedhje janë të rëndësishme për vendin dhe gjeopolitikën.

 

“Ajo që ka ndodhur dhe që ju e dini është në BE Shqipëria dhe Mali i Zi, kjo për arsye gjeopolitike, por në kushtet e sotme, për ne bëhet një çështje ekzistenciale e sigurisë dhe mbrojtjes së Shqipërisë, ndërkohë që raportet e tjera, siç e shikoni po lëvizin dhe ndryshojnë mes vendeve të tjera. Ka shumë njerëz që thonë se ky është muhabet kot, se doni mandatin tjetër dhe krijoni lloj-lloj alibish. Ju duhet thënë që Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012, ne i kemi hapur zyrtarisht vetëm vjet pasi bëmë 1 vit procesin e screening dhe të diagnostikimit të të gjithë organizmit të shtetit për të gjithë problematikat. Sot ne jemi krah për krah me Malin e Zi, dy vendet që ata i shohin si më të mundshmet për t’u futur në BE. Serbia i ka filluar në 2014, dhe sot është mbrapa nesh. Kur kemi marrë ne detyrën ishim vrima e fundit e kavallit. Maqedonia është bërë kandidate për të hyrë në BE në 2005 dhe akoma s’i ka hapur. Këto të dhëna janë për të treguar njerëzve që kjo nuk është çështje muhabet.”, u shpreh Rama.

 

“Në këto zgjedhje pak a shumë edhe pse jo me atë përmasë dramatike, po pak a shumë mund të thuhet se vendimmarrja e popullit shqiptar do të ketë një ndikim të rëndësishëm në fatin europian të Shqipërisë, sepse këto zgjedhje përkojnë me një moment jashtëzakonisht historik kur ne jemi para një mundësie reale dhe aktuale për tu bërë pjesë e BE-së”, tha Rama.atsh