ATSH/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot se opozita do të vijojë të ulet në tryezën e reformës zgjedhore
“Loja e Edi Ramës me shpresën se duke shkatërruar Teatrin Kombëtar do të shkatërronte dhe reformën zgjedhore, dhe shanset për t’u dhënë shqiptarëve një orë e më parë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të merrte peng integrimin europian të vendit, doli zbuluar”, tha Basha në një prononcim për mediat.
“Të gjithë e kanë parë, shqiptar dhe të huaj, këtë plan mafioz, i cili ka për qëllim të pengojë reformën zgjedhore, të pengojë integrimin europian të vendit dhe të lejojë Edi Ramën të përdorë të njëjtat mekanizma që ka përdorur më parë për të manipuluar vullnetin e shqiptarëve dhe për ta mbajtur vendin peng të krizave ciklike”, tha Basha.
“Ne jemi të vendosur që të mos ta lejojmë këtë gjë. PD dhe Opozita e bashkuar është e vendosur që t’u japë shqiptarëve një orë e më garancitë për t’iu drejtuar kutive të votimit dhe për t’u bashkuar në një votë plebishitare për të larguar këtë të keqe”, theksoi Basha.
“Bashkë me opozitën e bashkuar jemi të vendosur që t’ia mohojmë Edi Ramës këtë plan dinak dhe diabolik dhe t’u ofrojmë shqiptarëve rrugë dalje nga kriza, duke u angazhuar plotësisht në përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore që do t’i hapë rrugës mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe do t’i hapë rrugë procesit të negociatave dhe futjes së Shqipërisë në BE”, tha Basha.
I pyetur nëse e ka braktisur tryezën e reformës zgjedhore, Basha tha se, “ ne kurrë nuk e braktisëm dhe nuk mund ta braktisim procesin e reformës zgjedhore për arsyen e thjeshtë që sapo iu thashë, këtë dëshiron Edi Rama. Braktisja e reformës zgjedhore shtyn objektivin kryesor të shqiptarëve që është largimi një orë e më parë, shporrja një orë e më parë e këtij keqbërësi, diktatori, krimineli dhe këtij hajduti ordiner, me votën e shqiptarëve.
I pyetur se kur do të riktheni në tryezë, Basha tha se, “një orë e më parë. Nuk do të rikthemi në tryezë, se nuk e kemi braktisur kurrë tryezën”.
“Në tryezën e reformës zgjedhore jemi për një dhe një arsye për të larguar një orë e më parë Edi Ramën që është e keqja e vendit, është e keqja e Shqipërisë, është e keqja e të ardhmes tonë europiane”, tha Basha.
“Opozita po bën detyrën me reformën zgjedhore. Opozita po e bën detyrën e saj në raport me 15 kushtet për integrimin. Opozita nuk mund të bëhet fasadë aq më pak e një njeriu që ka treguar që nuk ka vullnet as për reformën zgjedhore”, tha Basha.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot vendimin e Bashës, duke theksuar se, “kthimi i opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore një kthesë për t’u përshëndetur! Më mirë vonë se kurrë dhe inshallah këtë herë deri në mbylljen e këtij procesi të stërzgjatur, sepse koha nuk pret dhe me vullnet të mirë mund të arrihet shpejt në konsensus”.
Edhe ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim ka përshëndetur vendimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore. “Ne mirëpresim vendimin e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha për të përfunduar reformën zgjedhore. Ne presim të shohim edhe liderët e tjerë të shfaqin udhëheqësi të ngjashme”, shprehet ambasadorja Kim.
/gj.mima/ /a.g/