ATSH-Maela Marini/ “Mesazhi im për opozitën është të bëjë gjithçka për konsensus për reformën zgjedhore”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, ndërsa theksoi se i ka kërkuar opozitës që të mos paraqesë një listë dëshirash, por të qëndrojë qartë tek ato elementë bazikë për të cilat do të kenë përkrahjen e partnerëve ndërkombëtar”.

“Mesazhi im për opozitën, që kur u shkatërrua në mënyrë të paligjshme Teatri ishte: mos bini pre e provokimit të radhës për t’u larguar nga tryeza e reformës”, tha Meta ndërsa theksoi se sot ka pasur edhe një telefonatë zyrtare me Kreun e PD-së Lulzim Basha, e kërkuar prej këtij të fundit.

“Kam pasur një telefonatë zyrtare me Lulzim Bashën këtë paradite e kërkuar prej tij, nuk mund të them asnjë gjë tjetër. Kjo ka qenë zyrtare, mesazhi im është, jepuni shqiptarëve atë të drejtë që u takon, që të kenë besim te zgjedhjet, te demokracia”.

Meta tha se “nuk ka qenë pjesë e diskutimeve për reformën dhe as nuk e shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e tyre”.

“Unë dëshiroj dhe apeloj përsëri për konsensus sa më të shpejt se është detyrim ndaj shqiptarëve në radhë të parë, që duhet të kenë sa më shumë siguri që vota e tyre do të jetë e lirë dhe e barabartë dhe së dyti, është detyrim i padiskutueshëm ndaj procesit të integrimit europian. Data 8 qershor është shumë e rëndësishme”, tha Meta.

Presidenti tha se “duket që ka progress nga të gjitha raportimet që janë bërë dhe çështja ka mbetur për mirëbesim në disa aspekte apo elementë që nuk duhet kurrsesi të rrezikojnë konsensusin”.

Ai theksoi se “opozita nuk ka vendosur si kusht një qeveri tranzitore dhe mospasja e një kushti të tillë e bën konsensusin tërësisht të mundur”.

“Shpresoj që sa më shpejt të kemi një lajm pozitiv. Shpresoj të reflektohet sa më shpejt në këtë drejtim. Mesazhi im për opozitën është që të jetë e qartë, të unifikoj kërkesat dhe të bëj maksimumin për konsensusin duke u koordinuar sa më ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar. Të gjithë duhet të tregojnë vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të mos intimidojnë qytetarët shqiptarë as me arrogancën e tyre as me hezitimet e tyre”, tha Meta.

Sipas tij, “fakti që reforma zgjedhore u shty kaq kohë tregon mungesën e vullnetin për të bërë ndryshime thelbësore në sistem”.

Meta tha se roli pozitiv i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është i mirëpritur gjithmonë.

vijon…

/a.g/