TIRANË, 8 qershor /ATSH – I. Vata/- Deputetët e opozitës parlamentarë dhe kryetarët e partive joparlamentare theksuan sot kundërshtitë e tyre për marrëveshjen e dakordësuar për Reformën Zgjedhore në Këshillin Politik.
“Unë këmbëngul tek parimet bazë të demokracisë. Shqiptarët prej tre palë zgjedhjesh nuk zgjedhin por thjesht votojnë dhe këtë e kemi provuar në kohë të komunizmit kur njerëzit votonin dhe s’na pyeste kush për të zgjedhur. Ky është një kthim pas dhe nga 27 vende të BE-së sot, 23 vende kanë lista e hapura preferenciale”, tha deputeti Myslim Murrizi.
Sipas tij, një kauzë tjetër është vota e emigrantëve.
“Pra, ne kemi kërkuar lista të hapura, kemi kërkuar votë emigrantësh dhe administratë zgjedhore jopolitike. Jemi i vetmi vend postkomunist që pas 30 vjetësh ende, nuk njohim zgjedhjet”, theksoi Murrizi.
ATSH